Reagim nga KCDE në lidhje me Vendimin rreth ndarjeve buxhetore për tekste shkollore

Reagim nga KCDE në lidhje me Vendimin Nr. 01/157 të datës 30 gusht rreth Ndarjeve Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023

Duke pasur parasysh Vendimin Nr. 01/157 të datës 30 gusht rreth Ndarjeve Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, KCDE dëshiron të ndajë shqetësimet thelbësore që ky vendim ka ngritur në lidhje me procesin e digjitalizimit të arsimit në vendin tonë. Vendimi i Qeverisë së Kosovës miraton kërkesën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 6,323,380 € (gjashtë milionë e treqind e njëzetë e tre mijë e treqind e tetëdhjetë euro), për të siguruar tekste shkollore. Këto mjete merren edhe nga projekt buxheti për “Digjitalizim, pajisje me kompjuter, tabela smart e projektor me kod 19128, shuma prej 3,000,000 € (tre milionë euro)”. Ky vendim pritet të ndikojë në ngadalësimin e progresit të digjitalizimit të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Fondet që ishin paracaktuar për pajisjet teknologjike, do të përdoren tani për qëllime të tjera, duke ulur mundësinë e integrimit të teknologjisë në ambientet shkollore.

Është e qartë se në kontekstin kosovar, tekstet shkollore janë burime themelore për mësimdhënie, megjithatë, është po aq e rëndësishme të rikujtojmë se teknologjia sjell një gamë të gjerë burimesh shtesë, të pasura dhe interaktive për mësimdhënie. Sa më shpejt që të kuptohet kjo, aq më shumë mund të ndikohet pozitivisht në përparimin e arsimit në vendin tonë. Përdorimi i teknologjisë në arsim ka potencial të ndryshojë rrjedhën e mësimdhënies. Përmes një ndërveprimi më të gjerë me teknologjinë, mund të përmirësohet angazhimi i nxënësve, të zhvillohen aftësitë e tyre teknologjike dhe të përgatiten për metodat moderne të punës. Megjithatë, vendimi i Qeverisë së Kosovës lë të nënkuptohet se investimet në teknologji për mësimdhënie nuk janë me prioritet. Kjo tregon një qasje që përqendrohet në forma vetëm tradicionale të zhvillimit të arsimit në vend.

Duke pasur parasysh shifrat ne rajon dhe Europe, Kosova tregon një raport të paknaqshëm të nxënësve për kompjuter (afërsisht 2,5 herë më shumë nxënës për kompjuter se mesatarja e BE-së në shkollat fillore dhe 6 herë më shumë nxënës për kompjuter se mesatarja e BE-së në shkollat e mesme). Ky kontekst bën që sfida e digjitalizimit të arsimit të jetë edhe më aktuale dhe urgjente për Kosovën.

Për më tepër, në këtë kohë kur arsimi po përjeton ndryshime thelbësore në gjithë botën, ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të nxisë implementimin e planifikimeve fillestare, duke theksuar zhvillimin e arsimit dhe integrimin e teknologjisë. Në vend të ngadalsimit të progresit të digjitalizimit, duhet të shfrytëzohet potenciali i teknologjisë për të ndihmuar në ndërtimin e një sistemi modern, gjithëpërfshirës dhe konkurrues në skenën ndërkombëtare.

KCDE
1 Shtator, 2023

--

--